Artisti francez Abraham Poincheval, i cili kaloi pak kohë më parë një javë brenda një shkëmbi, ka nisur sipërmarrjen më të fundit të tij dhe këtë herë shpreson të hyjë në botën e pulave dhe të ndërveprojë mendërisht me to.

Por, si do ta bëjë këtë? Duke ngrohur 10 vezë me nxehtësinë e trupit të tij. Ai do të jetojë brenda një ekspozitori prej xhami derisa vezët të çelin, i parë nga vizitorët në muzeun “Palais de Tokyo”, në Paris. E ky proces pritet të zgjasë 21 deri në 26 ditë. “Me pak fjalë, do të bëhem një pulë”, tha ai.

Artisti 44-vjeçar e nisi performancën e tij të fundit të mërkurën dhe në vend që të ulej direkt mbi vezët, ai është ulur mbi një karrige nën të cilën është vendosur një mbajtëse për vezët. Poincheval do të mbështillet me një mbulojë të posaçme të dizenjuar nga një artist korean, që do ta mbajë të lartë temperaturën e trupit të tij. Ai po ashtu planifikon të konsumojë ushqime si xhinxheri, me qëllim që të gjenerojë më shumë ngrohtësi trupore.

Problemet e higjenës nuk do të jenë të thjeshta. Poincheval do të përdorë një kuti të vendosur nën të kur natyra e thërret dhe nuk do të mundet të ngrihet nga karrigia për tu pastruar. Për të ngrohur vezët me sukses, ai duhet të qëndrojë mbi to gjatë gjithë kohës dhe nuk mund të largohet për më shumë se 30 minuta në ditë. E kjo kohë në dispozicion do të përdoret për të ngrënë.

Sipërmarrja me vezët vjen më pak se një muaj pas qëndrimit brenda një shkëmbi për një javë të tërë dhe tha se po përpiqej të largohej nga koha njerëzore dhe të përjetonte shpejtësinë minerale.

Më herët, ai kishte jetuar brenda një statuje ariu në Muzeun e Gjahut dhe Natyrës në Paris, duke ngrënë krimba dhe insekte, ashtu siç bën kafsha. Sipas Poincheval, mënyra më e mirë për të kuptuar objektet nuk është nga distanca, por duke hyrë brenda tyre. Fati i pulave ende të palindura ndërkohë do të qartësohet pas Pashkëve.

Top Channel