Ai rezultonte i zhdukur që prej së dielës në ishullin Sulawesi, ku kishte dalë për të grumbulluar vaj palme, por ajo që zbuloi policia lokale është tronditëse. Trupi i tij i pajetë u gjet brenda një pitoni gjigant…

Pas kërkimeve për 25-vjeçarin indonezian Akbar, policia kishte thënë për mediet se kishin gjetur një gjarpër shumë të madh, i cili dyshohej se mund ta kishte gllabëruar njeriun.

Pitoni “i rrjetëzuar”, një lloj specieje që gjendet në Azinë Juglindore, i cili ishte 7 metra i gjatë u ça dhe brenda trupit të tij u gjet personi i zhdukur. Këto lloj reptilësh janë ndër më të gjatët në botë dhe ndër më të rëndët, dhe përpara se të gllabërojnë prènë e tyre e mbysin atë.

Kjo ngjarje është shokuese, pasi pitonët rrallë kanë vrarë dhe kanë ngrënë njerëzit, edhe pse ka pasur raportime rastësore që të kenë gllabëruar fëmijë të vegjël apo kafshë.

Mashura, një zëdhënës i policisë në provincën e Sulawesit perëndimor tha se fshatarët kishin raportuar në polici se Akbar ishte zhdukur prej 24 orësh. Policia nisi kërkimet dhe gjetën gjarprin gjigant pranë plantacionit të palmave të familjes së tij.

Nia Kurniawan, nga Universiteti “Brawijaya”, thotë se një piton i këtyre përmasave mund të gjuajë prè të përmasave të mëdha, siç janë derrat apo qentë e egër.

Top Channel