Ekonomia, BSH: Burimet e rritjes janë forcuar

29/03/2017 00:00

Pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko bëri publike vlerësimet më të fundit për gjendjen e ekonomisë në vend.

“Përditësimi i analizës ekonomike me statistikat e reja tregon vazhdimin e rritjes ekonomike. Burimet e rritjes janë forcuar. Krahas kontributit të qëndrueshëm të kërkesës së brendshme një kontribut pozitiv ka dhënë dhe kërkesa e huaj”, deklaroi Sejko.

Sipas guvernatorit, ekonomia është mbështetur nga rritja e optimizmit të biznesit dhe konsumatorëve vendas, por edhe situata më e mirë në Eurozonë.

“Kërkesa e brendshme ka përfituar nga rritja e punësimit, nga kushtet monetare stimuluese, nga rritja e besimit të agjentëve ekonomike, si dhe investimet e huaja direkte”, tha Sejko.

Por a mund të jetë kriza politike një kërcënim për ekonominë? Guvernatori tha se kjo do të qartësohet në muajt e ardhshëm.

“Ne kemi marrë parasysh sjelljen historike të viteve elektorale në të cilët është përfshirë dhe ndikimi i elementit elektoral. Nuk kemi bërë asnjë parashikim të ndryshuar në rritjen ekonomike, akoma jo. Në raportet e mëtejshme tremujore do të reflektohet në varësi të ecurisë së ekonomisë dhe faktorëve të tjerë”, u shpreh Sejko.

Guvernatori tha se banka do të mbajë të pandryshuar në 1.25 për qind normën bazë të interesit të paktën deri në fund të vitit, pasi kjo sipas tij ndihmon ekonominë.

Top Channel