Nje “cocker spaniel” amerikan i quajtur “Miami” fitoi çmimin e parë në shfaqjen e madhe të qenve, mbajtur në Birmingham të Anglisë. Kafsha me një përzierje ngjyrash, të bardhë, të zezë dhe kafe, u kurorëzua si më e mira e spektaklit, pas 4 ditësh konkurimi që mbodhi gati 22 mijë qen nga 56 vende të botës.
“Që të tregohem i sinqertë, jam i befasuar edhe vet. Ai është një qen fantastik, por nuk e mendoja se do të fitonte, duke qenë se nuk është ekspozuar shumë. Është shumë i ri dhe ka dalë në pah shumë pak herë. Ndaj, kur i hymë kësaj gare, as për një milion vite nuk e mendoja se do të ulesha këtu e do të bisedoja me ju nga pozitat e fituesit. Është një ëndërr e bërë realitet”, tha Jason Lynn, pronari i “Miamit”.
I dyti u rendit “poodle”-i Frankie, që rrëmbeu titullin e “rezervës më të mirë të shfaqjes”. Shtatë qen dolën në finalen e garës së mbajtur në qendrën kombëtare të ekspozitave në Birmingham.
Ngjarja ndërkombëtare e mbajtur çdo vit në Angli përmban disiplina që kanë të bëjnë me zhdërvjellësinë e kafshës, bindjen e saj, aftësinë e hedhjes, reagimin dhe performancën ndaj muzikës.
Ky ishte viti i 126 i kësaj gare historike, e cila tërheq konkurrues nga i gjithë globi dhe është shpallur nga libri i rekordeve “Guinness” si shfaqja më e madhe e qenve në botë.
Top Channel