Në kohën kur fushata presidenciale në Serbi sa vjen e nxehet, disa zgjedhës kanë nisur të vënë në lojë kulturën e korruptuar të politikës ballkanase, me ofertën për t’ia shitur votën “online” subjektit që do të japë më shumë.

Njëri prej tyre, i quajtur Vladimir, banor i Vrbas në provincën veriore të Vojvodinës, ka nxjerrë një postim në faqen shumë popullore komerciale Kupujem Prodajem, ku thotë: “Shes votën, partia nuk ka rëndësi. Arsyeja e shitjes: dorëzohem. I mundur këmbimi i saj me nënshtetësinë kanadeze dhe një fermë në Kanada”.

Ndërsa çmimi që i vendos është i paprekshëm: 10.5 milionë euro. Një tjetër zgjedhës, po nga Vojvodina, përdori faqen Limundo për të shprehur gadishmërinë e tij që t’ia japë me qira lopën partive të koalicionit qeverisës, të cilat mund ta përdorin që të realizojnë një video promocionale me kafshë.

Ai i referohej qartazi fushatave të mëhershme elektorale në vend, gjatë të cilave kandidatët vizitonin fshatra e përkëdhelnin lopët për të treguar kështu interesin e lartë ndaj fermerëve. Çmimi i qirasë së lopës së tij ishte i arsyeshëm, 160 euro. Por, kur mediat lokale ranë në gjurmët e këtij njoftimi, administratorët e Limundos e mbyllën faqen.

Shitja e votave është një fenomen i zakontë në Ballkan. Ai frymëzoi edhe episodet e ngjashme përpara zgjedhjeve të vitit të kaluar në Bosnje e Mal të Zi, kur shtypi vendas raportoi plot raste talljesh nga njerëzit që nxirrnin votat e tyre në ankand.

Top Channel