Terroristë të veshur si mjekë sulmuan spitalin, me dhjetëra viktima

08/03/2017 00:00

Më shumë se 30 persona u vranë pasi terroristë të veshur si mjekë sulmuan spitalin më të madh ushtarak në Kabul.

Militantët e armatosur hynë në spital, pasi njëri prej tyre shpërtheu derën e tij me eksploziv dhe hapi zjarr ndaj stafit dhe pacientëve. Pas disa orësh luftime, forcat speciale që u hodhën mbi tarracën e spitalit nga helikopteri, mundën që të eliminojnë 4 agresorët.

Dëshmitarë okulare të ngjarjes thanë se të veshur me bluza të bardha, terroristët e armatosur me kallashnikovë hapnin zjarr ndaj kujtdo që i dilte përpara, qoftë roje sigurie, mjekë apo pacientë.

Mësohet se furia e tyre vrasëse u ndal kur në vendngjarje mbërritën forcat e sigurisë dhe terroristët u detyruan të mbroheshin.

Presidenti i Afganistanit Ashraf Gani tha se sulmi ndaj spitalit shkel çdo vlerë njerëzore dhe nuk ka asnjë fe që mund ta justifikojë. Sulmi u mor përsipër nga Shteti Islamik, i cili që prej 2015 ka kryer mjaft operacione në Afganistan, pasi shpalli provincën e ashtuquajtur Khorasan.

Analistët thonë se ISIS në sulmin ndaj spitalit përdori për herë të parë taktikat e talebanëve, diçka që tregon se aftësitë e militantëve të tij janë rritur dhe ata kanë mundësin që të kryejnë operacione ndaj objektivave të rëndësishëm që kërkojnë shumë planifikim dhe burime.

FOTO GALERI
2/5

Top Channel