Mjeku i familjes, tashmë e identifikoni online

12/02/2017 00:00

Jo vetëm në zona rurale, por edhe në kryeqytet, shumë nga qyetarët nuk e dinë se kush është mjeku i tyre i familjes apo qendra shendetësore ku duhet të drejtohen.

Kur sëmuren, drejtohen të gjithë në  QSUT, shpesh pa e ditur në cilin shërbim duhet të shkojnë, pa llogaritur më pas mjekun që mund të  trajtojë sëmundjen e tyre, i cili  mund të mos pranojë nëse nuk ka një rekomandim nga mjeku i familjes.

Kur pacienti ka një rekomandim dhe ndjek sistemin e referimit, shërbimi shendetësor i ofrohet falas.

Për këdo që ende nuk e di cila është qendra shëndetësore të cilës i përket në bazë të zonës së banimit apo mjeku i familjes që e ka në patronazh, mund ta mesojë atë tanimë nëpërmjet kompjuterit apo celularit duke u futur në faqen online të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të  Kujdesit Shendetësor, në rubrikën “e-sherbime”.

Në fund, duke klikuar “kerko mjekun”  si dhe  duke futur numrin personal, që është i shënuar në kartën e identitetit, menjëherë do t’i shfaqet  numri i qendrës shendetësore por edhe emri i mjekut të familjes.

Mjeku i familjes ka të gjitha kartelat shëndetësore të personave të një familjeje, të cilat tani do të jenë gjithashtu të aksesueshme nëpërmjet internetit.

Top Channel