Bibliotekë në emër të Musine Kokalarit

10/02/2017 00:00

Në 100-vjetorin e lindjes së Musine Kokalarit, gruas së parë të letrave shqipe, e cila luftoi për demokratizimin dhe emancipimin e shoqërisë shqiptare, Bashkia e Tiranës nderoi figurën e saj duke i vënë emrin Bibliotekës nr. 9 në kryeqytet, që frekuentohet çdo ditë nga të rinjtë.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se është e nevojshme që ngjarje të tilla, si ajo e Musine Kokalarit të mos harrohen, pasi në të kundërt shoqëria do të përsërisë sërish gabimet e së shkuarës.

“Jam sot shumë i lumtur që këtë bibliotekë ia dedikojmë Musine Kokalarit, një simbol i letërsisë, një simbol i shoqërisë së hapur, një mendje e hapur edhe një simbol i një rezistence që provon se herët a vonë mund t’i kesh njerëzit kundra për disa kohë, ndoshta dhe për shumicën e kohës, në rastin e Musinesë edhe për gjithë jetën e saj, por vjen një moment kur e drejta triumfon dhe kur e mira e mund të keqen”, tha ai.

Veliaj theksoi se është shumë e rëndësishme që shoqëria të ketë një moment reflektimi mbi këtë histori.

“Arsyeja pse jam krenar që kemi mbërritur në këtë pikë është se kuptova gjatë kohës që ishim në ministri, se kjo puna e dosjeve ishte një “plagë e pashëruar “Besoj se leksioni këtu nuk është kush është i majtë dhe kush është i djathtë, por sa të rrezikshme janë ekstremet, si ekstremi i djathtë që shkon drejt fashizmit, si ekstremi i majtë që shkon drejt komunizmit. Sa e rëndësishme është që të kemi një debat të balancuar sa më afër qendrës dhe jo një inkurajim të histerisë kolektive që na çon drejt ekstremit. Është ekzaktësisht debati që po bëhet sot në Europë, që nxorri Anglinë nga Bashkimi Europian, është sot debati që po bëhet në Francë nga kandidatët për presidentë”, tha ai.

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro e vlerësoi Musine Kokalarin si simbolin e gruas intelektuale shqiptare dhe i rezistencës që vjen përmes forcës së mendjes dhe jo dhunës.

“Diktatura ka bërë shumë viktima në Shqipëri. Por unë e gjej shumë të veçantë Musine Kokalarin sepse me një lloj fisnikërie të jashtëzakonshme, me një siluetë shumë të brishtë, por me një forcë shpirtërore shumë të madhe, që e bënte në të njëjtën kohë të ishte edhe muzë, edhe heroinë. Dhe për të gjitha këto arsye ne menduam që 100-vjetori i Musinesë të jetë një ditë jo vetëm për lindjen e një intelektualeje shqiptare, të një viktime të komunizmit, por edhe të një simboli të rezistencës që nuk vjen përmes dhunës, por vjen përmes forcës së mendjes”, deklaroi Kumbaro.

Top Channel