Cameron, me premtim “Terminatori”: Do të rikthehem

03/02/2017 00:00

Ish-kryeministri britanik, David Cameron, karriera politike e të cilit u bombardua nga vendimi i britanikëve për të dalë nga Bashkimi Europian qershorin e kaluar, u shfaq në një videoklip me Arnold Schwarzenegger këtë të premte, duke premtuar se “do të rikthehet”.

Ylli i “Hollywood”-it dhe ish-guvernatori i Kalifornisë, Schwarzenegger mirëpriti “mikun e tij të mirë” Cameron në një postim të stilit “selfie” të publikuar në “Snapchat”, përpara se ish-kryeministri britanik të jepte një mesazh enigmatik.

“Jam këtu me guvernatorin, ai ka bërë një punë të shkëlqyer”, tha Cameron, përpara se të drejtohej për nga kamera për të shprehur sloganin e Schwarzeneggerit nga filmi “Terminator”, “se unë do të rikthehem”.

Cameron, i cili bëri një fushatë të bujshme në favor të qëndrimit të Britanisë në Bashkimin Europian, dha dorëheqjen papritur pasi kishte shërbyer prej 6 vitesh si kryeministër, kur vota e referendumit shkoi në favor të “Brexit”-it dhe kundër tij.

Ai u largua nga Parlamenti në shtator dhe javën e kaluar u emërua president i Fondacionit për Kërkime shkencore mbi Alcajmerin në Britaninë e Madhe.

Schwarzenegger dhe Cameron, të cilët ndajnë pikëpamje të ngjashme të qendrës së djathtë, u shfaqën së bashku në një shfaqje të mbajtur në Universitetin e Kalifornisë së Jugut pasditen e së enjtes.

Top Channel