Dikur hotel me 5 yje, u shkatërrua nga ISIS

02/02/2017 00:00

Dikur i frekuentuar nga Sadam Husseini e pasanikë të Irakut, pas pushtimit nga Shteti Islamik, hoteli me 5 yje “Nineweh Oberoi” në lindje të Mosulit filloi të priste një tjetër lloj “elite”; luftëtarë të huaj dhe kamikazë që konsideroheshin si pjesëtarët më të vlerësuar të grupit xhihadist.

Ushtria irakiane çliroi së fundmi kompeksin lukzoz tashmë të shkatërruar, duke u hequr nga duart ekstremistëve një pikë strategjike që ofron një panoramë të qartë përreth qytetit. E megjithatë, struktura 11-katëshe është një kujtesë e rreziqeve të shumta e pasigurive, teksa forcat irakiane përgatiten të zgjerojnë ofensivën kundër ISIS-it në veri të Mosulit.

Hoteli pozicionohet pranë snajperëve të Shtetit Islamik dhe predhave të groposura përtej lumit Tigër, që dikur ofronte një pamje çlodhëse për të ftuarit. Teksa ngjiten në katet e sipërme të hotelit, në përpjekjen për të pikasur pozicionet e armikut në perëndim, ushtarët irakianë i ndeshin kudo gjurmët e militantëve; nga perdet me vrima plumbash, deri te muret me shkrimet e ISIS.

Qëndrimi në hotelin me 265 dhoma, i ndërtuar në vitin 1980 për t’iu shërbyer pushtetarëve të Irakut e besnikëve të partisë së Husseinit, u kthye në një lloj shpërblimi për luftëtarët e huaj që do të jepnin apo kishin dhënë një kontribut të lartë për ISIS-in.

Nga godina elegante, që dikur ishte e pajisur me suita luksoze, salla konferencash, pishina, xhakuzi e dyqane, thuajse nuk ka mbetur asgjë. Sipas ushtarëve, militantët e kanë shfrytëzuar hotelin për mbledhje apo çlodhje me gratë e fëmijët e tyre, por më pas për shkak të krizës financiare të kalifatit, i shitën shumë prej orendive të tij.

Kopje të revistës propagandistike të ISIS dhe kutitë me qetësues që luftëtarët përdornin para se të hidheshin në sulm, janë vetëm disa prej dëshmive të terrorit që ka mbretëruar atje.

Top Channel