SHBA, shtohen sfidat ligjore kundër vendimit të Trumpit

01/02/2017 00:00

Sfidat ligjore kundër vendimeve të para të Donald Trumpit sa vijnë e shtohen, me 3 shtete që kanë ngritur padi kundër tij lidhur me urdhrin ekzekutiv që ndalon shtetas nga 7 vende myslimane të hyjnë në SHBA.

Massachusetts, New York dhe Virginia iu bashkuan betejës ligjore kundër dekretit, që sipas Shtëpisë së Bardhë është i nevojshëm për të përmirësuar sigurinë në vend. Sipas këtyre shteteve, urdhri shkel liritë fetare të garantura në Kushtetutë.

“Urdhri ekzekutiv është i dëmshëm, diskriminues dhe antikushtetues. Ai diskriminon mbi bazë të besimit fetar e origjinës kombëtare, si dhe shkel ligjin federal të Emigracionit”, tha një protestuese.

“Presidenti Donad Trump firmosi një urdhër ekzekutiv të paqartë e kaotik, që shkel Kushtetutën dhe të drejtat e banorëve të Virginias. Qytetarët tanë dëmtohen rëndë nga ky urdhër”, tha një tjetër.

Ndërkohë, San Francisco u bë shteti i parë amerikan që ngriti një padi kundër direktivës së kreut të Shtëpisë së Bardhë për të mbajtur parà federale nga qytetet që kanë ndërmarrë politika mbrojtëse për emigrantët e padokumentuar.

Manovrat ligjore ishin aktet më të fundit kundër veprimeve ekzekutive të Trumpit javën e kaluar, që nxitën një valë protestash në qytetet më të mëdha amerikane. Politikat janë në një linjë me premtimet e bëra gjatë fushatës nga biznesmeni i kthyer në politikan, i cili është zotuar të ndërtojë një mur përgjatë kufirit me Meksikën dhe të ndërmarë masa të ashpra për të parandaluar sulme terroriste në SHBA.

Sipas një sondazhi të “Reuters”, 49 për qind e amerikanëve e mbështesin urdhrin që kufizon emigracionin, ndërsa 41 për qind shprehen kundër.

Top Channel