Mbreti i Romëve letër për Trump: E ndërtojmë ne murin

01/02/2017 00:00

Në një letër drejtuar Presidentit Donald Trump, Dorin Cioba, mbreti i vetëshpallur i romëve në botë, sugjeroi se pikërisht ky komunitet mund të ndërtojë murin amerikan në kufi me Meksikën.

Cioba, i cili është shtetas rumun, në letrën për Trump shkruan se “romët mund ta bëjnë këtë punë me kosto të ulët, pasi ata vuajnë nga papunësia e lartë”.

Lajmi u raportua nga mediat rumune, të cilat thonë se Cioba e ka siguruar Trumpin se njerëzit e tij kanë aftësitë e duhura për të marrë pjesë në ndërtimin e murit, planet për të cilin kanë shkaktuar një përkeqësim të ndjeshëm në raportet mes Meksikës dhe SHBA.

Në letër, Cioba gjithashtu i uron Trumpit që të ketë forcë në detyrën e tij dhe në vendimet që do të marrë, ndërsa premton se është i angazhuar të mbështesë të gjitha projeket e ardhshme të Presidentit amerikan.

Pas këtij lajmi, shumë media pyetën Ambasadorin Amerikan në Rumani për këtë situatë, por ai tha se nuk kishte asnjë njoftim për këtë letër. Ambasadori Hans Klem, gjithsesi u shpreh se duke u bazuar tek komentet e mëparshme të Trump, Presidenti do ta ndërtojë murin me punëtorë amerikanë.

Dorin Cioba jeton në Rumani dhe trashëgoi fronin e romëve nga babai i tij Florian Cioba, një anëtarë i respektuar i komuniteti rom, që u vetëshpall mbret i romëve në botë në vitin 1997. Pas vdekjes, froni i kaloi djalit të tij Dorin.

Top Channel