Ish-këshilltari i Nixonit: Presidenca e Trumpit do të mbyllet me fatkeqësi

31/01/2017 00:00

Ish-këshilltari i presidentit Richard Nixon, i vetmi që është dorëhequr nga kreu i Shtëpisë së Bardhë, paralajmëron se mandati i Donald Trumpit do të përmbyllet me fatkeqësi.

John Dean, avokati të cilin FBI-ja e ka përshkruar si “kryemanipulatorin e fshehjes” së skandalit “Watergate”, shfrytëzoi rrjetin social “Twitter” gjatë mesnatës së të hënës, për të përshkruar deklaratën e Trumpit ndaj ish-kryeprokurores Sally Yates – e emëruar nga Barack Obama si Prokurore e Përgjithshme në detyrë, – si diçka të keqe dhe me nivel të ulët.

Trump e shkarkoi Yates të hënën, pasi ajo kishte deklaruar se nuk do të mbronte urdhrin kontrovers ekzekutiv të tij në lidhje me emigrantët dhe refugjatët në gjykatë.

Një grup për mbrojtjen e të drejtave të myslimanëve ngriti një padi më herët gjatë së hënës, duke argumentuar se urdhri ekzekutiv që u ndalon hyrjen shtetasve nga 7 shtete me shumicë myslimane në SHBA, për të cilin Trump thotë se e nënshkroi për të parandaluar terrorizmin, është antikushtetues.

Përgjatë fundjavës, urdhri nxiti një valë protestash dhe konfuzioni në aeroportet amerikane.

Duke theksuar turbulencat që karakterizuan javën e parë të Trumpit në krye të Shtëpisë së Bardhë, Dean parashikon se presidenca e tij do të përmbyllet me një katastrofë. “Nga mënyra sesi ka nisur Presidenca Trump, është mëse e logjikshme të thuash se do të mbyllet me fatkeqësi”, shkroi Dean. “Kjo është thuajse e sigurtë, madje edhe republikanët e dinë këtë”.

Top Channel