Britani, diskutohen në Parlament peticionet për vizitën e Trump

31/01/2017 00:00

Deputetët britanikë do të debatojnë nëse Presidenti amerikan Donald Trump duhet lejuar që të zhvillojë një vizitë shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa peticioni kundër kësaj ideje ka arritur rreth 1.7 milion firma.

Debati do të zhvillohet më 20 shkurt e do të konsiderojë gjithashtu një tjetër peticion, që kërkon lejimin e vizitës së Trumpit dhe që ka grumbulluar mbi 100 mijë firma.

Pak ditë më parë, Trump vendosi që t’u ndalojë përkohësisht hyrjen në SHBA njerëzve nga 7 vende me shumicë myslimane, gjë që shkaktoi shumë protesta në SHBA e në botë.

Në Britani, debati u bë edhe më i nxehtë, pasi kryeministrja Theresa May, pas vizitës në SHBA dhe takimit me Trump, tha se kishte ftuar presidentin amerikan në Londër, megjithëse nuk ka një datë zyrtare.

Zyrtar është qëndrimi i qeverisë britanike, që informoi se vizita e Trumpit do të kryhet. Peticioni i firmosur nga rreth 1.7 milion njerëz nuk kërkon që Trump të mos lejojet të hyjë në Britani, por që vizita e tij të mos jetë shtetërore, pra pa ceremonitë dhe nderimet që sjell kjo.

Peticioni rival, ndërkohë, thotë se Trump është udhëheqës i botës së lirë dhe se pikëpamjet e tij nuk duhen heshtur. Pasi një peticion kalon 100 mijë firmat, Komiteti parlamentar i Peticioneve është i detyruar të konsiderojë dabatimin e çështjes në organin legjislativ.

Top Channel