Sulmi në Kebek, 27-vjeçari i dyshuar adhuronte Trump dhe Le Pen

30/01/2017 00:00

Pasi ndaloi dy të rinj për atentatin në xhaminë e Kebekut, ku humbën jetën 6 persona, policia kanadeze ka deklaruar se vetëm njëri prej tyre është i dyshuar.

Bëhet fjalë për franko-kanadezin Alexandre Bissonnette, 27 vjeç. “Nuk ka asgjë tjetër që të sugjerojë për të dyshuar të tjerë prapa veprimit kriminal”, ka deklaruar zëdhënësja e policisë, Christine Coulumbe.

I ndaluari tjetër, Mohamed el Khadir, një 30-vjeçar me origjinë marokene, konsiderohet dëshmitar i ngjarjes. Zëdhënësja ka saktësuar se, asnjëri prej tyre nuk ishte person i njohur për hetuesit.

Dy të rinjtë u ndaluan pak minuta pas masakrës. Njëri prej tyre ndodhej ende në vendin e ngjarjes, ndërsa tjetri në 20 kilometra distancë.

Sipas mediave kanadeze, i dyshuari Bissonette jeton në Kap Ruzh dhe studion antropologji dhe shkenca politike pranë universitetit Laval, më antiku në gjuhën frënge në amerikën e veriut, me seli pranë një xhamie.

Përmes rrjetit social Twitter, analistja Rita Katz, drejtoreshë e SITE, faqe e specializuar në aktivitetet e xhuhadistëve, ka bërë me dije se në profilin e tij në Facebook, 27-vjeçari, i identifikuar thjesht si Alex B, shprehte simpati për Trump, Maline Le Pen dhe forcat e mbrojtjes izraelite. Megjithatë, ka shtuar analistja, gjasat që i riu të ketë pasur lidhje me xhihadin janë inekzistente.

Top Channel