Trump-Putin: Lufta ndaj terrorizmit ndërkombëtar, prioritet kyç

29/01/2017 00:00

Mes një serie telefonatash të kryera ditën e shtunë me krerë shtetesh, njëra prej tyre ishte më e shumëpritura dhe më e diskutueshmja për Trumpin: ajo me Vladimir Putinin e Rusisë. Kremlini njoftoi se, të dyja palët ranë dakord ta bënin luftën ndaj “terrorizmit ndërkombëtar”, përfshi këtu të ashtuquajturin Shtet Islamik dhe grupet e tjera terroriste në Siri, prioritetin kyç të axhendave të tyre.

Shtëpia e Bardhë tha se telefonata ishte “një fillim domethënës” për të riparuar një marrëdhënie që “ka nevojë të riparohet”. Trump foli gjithashtu edhe me udhëheqësit e Japonisë, Gjermanisë, Francës dhe Australisë. Në një deklaratë të publikuar në anglisht, Kremlini dha më shumë detaje mbi telefonatën e parë zyrtare mes dy krerëve të vendeve, që kur Trump mori detyrën e presidentit.

Në deklaratë thuhej se pati një bisedë “pozitive dhe konstruktive”, gjatë së cilës u diskutuan lufta kundër terrorizmit, Lindja e Mesme dhe konflikti arabo-izraelit, stabiliteti strategjik, mospërhapja e armëve, si dhe programi bërthamor i Iranit, por nuk kanë mbetur pa u përmendur edhe situata mes dy Koreve dhe ajo në Ukrainë.

“Dy udhëheqësit theksuan se bashkimi i përpjekjeve në luftën kundër kërcënimit kryesor, terrorizmit ndërkombëtar, është prioriteti më i lartë”, njoftoi Rusia. “Presidentët folën për vendosjen e veprimeve reale të koordinimit mes Rusisë dhe SHBA-ve, me synimin për të mposhtur Shtetin Islamik dhe grupet e tjera terroriste në Siri”.

Megjithatë, në njoftimin rus mbi telefonatën vërehet qartë mospërmendja e sanksioneve ekonomike të vendosura nga Shtetet e Bashkuara kundrejt Rusisë, të cilat kanë qenë subjekt spekulimesh në ditët e fundit. Por deklarata shtonte se “të dyja palët theksuan rëndësinë e rindërtimit të tregtisë me përfitime të përbashkëta”, që sipas Kremlinit mund të ndihmojë edhe në zhvillimin e marrëdhënieve në fusha të tjera.

Top Channel