“Politico” :Trump po dikton riorganizim të Këshillit të Sigurisë

29/01/2017 00:00

Në një analizë të vendimeve të ditëve të para të presidentit amerikan Donald Trump, “Politiko” shkruan se tre urdhrat e radhës, të firmosur nga ai, diktojnë riorganizimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare (NSC), u ndalojnë për pesë vjet lobimin, zyrtarëve të administratës, bllokojnë lobimin në qeveri për vende të tjera dhe e urdhërojnë departamentin e mbrojtjes të dalë brenda 30 ditësh me një plan për mposhtjen e ISIS-it.

Dy prej veprimeve të Trumpit, NSC-ja dhe ISIS-i ishin memo, ndërsa i treti,  urdhër ekzekutiv. “Kjo është goxha e madhe”, – ishte komenti i Presidentit ndaj memorandumit mbi shtetin islamik, ndërsa riorganizimi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për Trump-in përfaqëson një përmirësim të sigurisë.

“Njerëzit kanë kohë që flasin për këtë gjë, ndoshta vite të tëra”, – thotë Politico. Sipas site-t të lajmeve politike, riorganizimi i Këshillit do të bëhet në mënyrë të tillë që të jetë sa më i përgatitur ndaj kërcënimeve dixhitale.

Një zyrtar i lartë i administratës amerikane citohet të ketë thënë se strukturat e reja do ta përshtatin më mirë NSC-në kundrejt kërcënimeve të ditëve tona.

Në përmbushje të një tjetër premtimi elektoral, atë të tharjes së moçaleve, siç i quan Trump, funksionarëve të administratës aktuale do t’u ndalohet lobimi për pesë vjet pasi të jenë larguar nga administrata.

Gjithashtu, do të bllokohet ndërkohë përjetësisht lobimi për një qeveri të huaj, por këtu ka nje ngërç, sepse nuk dihet si do ta zbatojë administrata këtë urdhër pasi Trump të largohet nga posti. Rregullat e reja nuk prekin ish lobistët.
“Nëse do që të punosh për këtë administratë, atëherë nuk mund të nxjerrësh përfitim prej saj”,- ishte komenti i të njëjtit zyrtar, i mbetur anonim. Sa për planin e ISIS-it, ai do të përfaqësojë angazhimin e Shteteve të Bashkuara për ti dhënë fund njëherë e mirë mizorive të grupit ekstremist.

Top Channel