Telefonata Trump-Putin

27/01/2017 08:50

Të shtunën pritet një prej telefonatave mbase më të rëndësishme të viteve të fundit, ajo mes presidentit të ri amerikan Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin.

Kjo u konfirmua edhe nga zyrtarë në Kremlin, të cilët theksuan se bëhet fjalë për telefonatën e tyre të parë që kur Trump mori detyrën. Ky takim i parë virtual konsiderohet si një hap shumë i rëndësishëm drejt asaj që Kremlini dhe Shtëpia e Bardhë shpresojnë të jetë riparimi i marrëdhënieve, të cilat kanë qenë mjaft problematike gjatë administratave të mëparshme amerikane.

Trump është zotuar se do të ketë raporte më të mira me Rusinë sesa paraardhësi i tij Barack Obama, ndërsa pritet që telefonata të jetë nën vëzhgimin e rreptë të kritikëve të presidentit amerikan, sidomos pas fërkimit që ai pati me agjensitë e inteligjencës për pretendimet se Rusia ndërhyri në zgjedhjet amerikane në favor të Trump.

Gatishmëri e hapur për raporte më të mira me administratën Trump është shprehur edhe nga Rusia, zyrtarë të së cilës disa herë kanë theksuar se me Barack Obamën raportet nuk ishin të lehta. Ditë më parë, vetë presidenti Putin tha se sfidat globale me të cilat janë përballur SHBA dhe Rusia tregojnë qartë se bashkëpunimi i këtyre vendeve mund të jetë një faktor kyç në stabilitetin dhe sigurinë në botën moderne.

Trump, nga ana tjetër, foli për mundësinë e heqjes së sanksioneve ndaj Moskës, nëse kjo e fundit ndihmon në luftën kundër terroristëve.

Top Channel