Francë, përgatitjet për karnavalet e Nicës

27/01/2017 00:00

Qyteti francez Nice po përgatit skenën për karnavalet e përvitshme të saj, në shkurt, ngjarja më e madhe publike në qytet kjo, që nga sulmi terrorist i 14 korrikut të vitit të kaluar, kur një kamion u përplas mbi turmën e njerëzve duke vrarë dhjetëra vetë.

Siguria mbetet një shqetësim kyç për karnavalet, që do të nisin më 11 shkurt e do të përfundojnë në datën 25, ndaj dhe vet banorët mbeten të dyzuar.

Në qytet ndalohet ende organizimi i aktiviteteve në shëtitoren buzë detit, ku ndodhi edhe sulmi i ditës së Bastijës, e si pasojë, organizatorët janë detyruar të ndryshojnë trajektoren e paradës.

Duke ndjekur një traditë që daton që në vitin 1294, qyteti mesdhetar do të shndërrohet në një skenë festive. Tema e këtij viti është “Mbreti i Energjisë”, me barka të ndërtuara mbi këtë motiv, me burime të ndryshme energjie, elektrike, diellore, energjinë e erës etj. Artizanët në qendër të qytetit kanë lënë imagjinatën të lirë për të ilustruar temën.

Por një nga krijimet më të spikatura është një “Donald Trump” gjigant, i ulur mbi një fuçi nafte. Me një buxhet prej 6 milionë eurosh, edicioni i 133-të i karnavaleve pret të tërheqë rreth 390 mijë vizitorë.

Top Channel