Njohja me kodet bërthamore, Trump: Eksperiencë shumë e frikshme

26/01/2017 00:00

Në intervistën e parë të tij që kur u ul në detyrë, Presidenti Donald Trump flet për përgjegjësitë e reja të tij. Duke folur për “ABC News”, ai pohoi se marrja në dorëzim e kodeve bërthamore ishte një eksperiencë shumë, shumë e frikshme, që i kishte treguar qartë sesa e rëndësishme është detyra e tij.

“Kur ata shpjegojnë se çfarë përfaqësojnë këto kode dhe llojin e shkatërrimit që ti ke në dorë, është një moment që të shtang. Në fakt është shumë, shumë, shumë i frikshëm”, tha Donald Trump.

Por, jo aq i frikshëm sa për ta mbajtur atë zgjuar natën. “Kam besim se do të bëj gjënë e duhur, punën e duhur, por sidoqoftë mbetet diçka e frikshme”, tha ai.

Më pas, Trump tregoi edhe për një letër të bukur që i ishte lënë mbi tavolinën e Zyrës Ovale nga Barack Obama, por ashtu siç është traditë mes presidentëve, nuk zbuloi përmbajtjen.

“Nuk do t’iua tregoj dhe as nuk do t’iua lexoj, por mund t’iu them se ishte një letër shumë e bukur. Kishte disa rreshta, të shkruar mirë, të menduar mirë. E shkruar sipas mënyrës së tij”, tha ai.

Top Channel