Mashtrimi me votat, tashmë Shtëpia e Bardhë e beson

25/01/2017 00:00

Nga Shtëpia e Bardhë u njoftua se Presidenti Donald Trump beson se miliona njerëz votuan ilegalisht në SHBA, besim që bazohet në studime dhe prova.

Sekretari i Shtypit, Seas Spicer tha se Trump e beson këtë, por nuk ofroi prova për të vërtetuar këto pretendime, pavarësisht pyetjeve nga shtypi.

Trump e ka përsëritur shpesh këtë pretendim, për të shpjeguar arsyen e humbjes së votës popullore ndaj Hillary Clinton. Megjithatë, nocionet e mashtrimit të gjerë me votat janë hedhur poshtë.

Sipas zëdhënësit Spicer, presidenti i bazon pretendimet e tij te studime dhe prova, që i janë paraqitur nga njerëz të ndryshëm.

Komentet e Spicer vijnë pasi presidenti deklaroi para udhëheqësve të Kongresit se, 3 deri në 5 milionë emigrantë pa dokumente kanë votuar ilegalisht në zgjedhje. Trump e shprehu këtë pretendim të tij që në fund të nëntorit, por që atëherë nuk ka dhënë asnjë provë.

Kjo është kosinderuar si e pavërtetë nga ekspertët, ndërsa edhe zyrtarë republikanë të zgjedhjeve në shtetet kyçe deklaruan se nuk kanë gjetur prova mashtrimi në zgjedhje.

Disa senatorë, si Lindsey Graham, thanë se Trump duhet të heqë dorë nga ky pretendim, pasi duket i fiksuar me idenë që s’mund të kishte humbur votën popullore pa u bërë ndonjë mashtrim.

Top Channel