BE, edhe tre muaj kontrolle në kufi

25/01/2017 00:00

Ekzekutivi i Bashkimit Europian ka rekomanduar shtrirjen e kontrolleve kufitare të emergjencës brenda asaj që normalisht do të ishte zonë e udhëtimit të lirë në bllok, edhe për tre muaj të tjerë.

Sipas propozimit, Gjermania, Austria, Suedia, Danimarka dhe Norvegjia, kjo e fundit jo anëtare e BE-së por pjesë e zonës “Shengen”, mund të shtrijnë kontrollet kufitare aktuale deri në mesin e majit.

“Aktualisht kemi në fuqi masa të kontrollit kufitar. Ato janë masa të jashtëzakonshme për një situatë të jashtëzakonshme. Pozicioni im për sa i takon “Shengen”-it, ka qenë gjithnjë shumë i qartë. Qëllimi im personal, por edhe qëllimi ynë, është të kalojmë nga kontrollet aktuale tek funksionimi normal i zonës shengen, sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Dimitris Avramopoulos, komisioneri europian për emigracionin.

Më shumë se një milionë refugjatë, shumica nga zonat e konfliktit në lindjen e mesme, hynë në Europë në 2015. Pavarësisht se numri nuk bie shumë në sy nëse krahasohet me 500 milionë banorët e bllokut,  ai shkaktoi mosmarrëveshje të shumta mes shteteve të BE-së për mënyrën e trajtimit dhe sistemimit të tyre. Si pasojë, blloku forcoi kontrollet në kufi si edhe procedurat e dhënies së azilit.

“Pavarësisht progresit dhe përmirësimeve të vazhdueshme këto muaj, ne nuk jemi kthyer ende në normalitet. Ndaj ne sot, rekomandojmë zgjatjen e përkohshme të kontrolleve në kufijtë e brendshëm, në disa prej shteteve anëtare, për një periudhë shtesë dhe të kufizuar prej tre muajsh”, shprehet Avramopoulos.

Vetëm rreth 360 mijë verë hynë në Europë vitin e shkuar pas një marrëveshjeje me Turqinë që reduktoi ndjeshëm numrin e atyre që mbërrinin në Greqi. Trajektorja kryesore drejt Europës, tani niset nga brigjet libiane drejt Italisë.

Top Channel