Gingrich kërkon arrestimin e Madonnës

24/01/2017 00:00

Ish-kreu republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich ka kërkuar që Madonna të arrestohet për thirrjet që lëshoi përpara turmës në ditën e Marshimit të Grave në Uashington, kur u shpreh se “kishte menduar gjatë për të hedhur në erë Shtëpinë e Bardhë”.

Këngëtarja e njohur për stilin e saj rebel, gjithsesi u duk se bëri një hap prapa nga deklaratat e saj, kur shpjegoi se atë ditë kishte folur në mënyrë “metaforike”. “Nuk jam një njeri i dhunshëm”, shkroi ajo në rrjetin social “Instagram”. “Fola me nënkuptime dhe shpreha dy mënyrat sesi t’i shohim gjërat. Njëra është që të qëndrojmë me shpresë, ndërsa tjetra është të ndihemi të irrituar dhe të zemëruar. Unë personalisht jam te këta të dytët”.

Gjatë një interviste për “Fox & Friends”, Gingrich akuzoi Madonnën se kishte ndryshuar tonin e zërit, vetëm sepse e kishte “kuptuar tashmë që ndodhet mes zjarrit”, duke shtuar se ajo është pjesë e asaj që tani konsiderohet si një fashizëm të së majtës në zhvillim”.

Fjalimi i Madonnës, që veç sulmit të supozuar ndaj Shtëpisë së Bardhë, pati edhe fjalë tejet të ulëta drejtuar Trumpit, detyroi disa rrjete televizive që të ndërprisnin transmetimet “live” nga marshi i së shtunës.

Ajo kryesonte turmën me thirrjet “Po, ne jemi gati” për t’u përballur me politikat e promovuara nga Donald Trump, i cili ka armiqësuar shumë gra gjatë fushatës së tij zgjdhore me komentet mbi paraqitjet e rivalëve, apo me premtimet për të kufizuar apo hequr të drejtën e abortit.

Madonna vijoi më pas edhe me thirrje dedikuar kritikëve të marshimit të grave. “Për kritikët tanë, të cilët këmbëngulin se ky marsh nuk do të ndryshojë asgjë, ikni…”, deklaroi ajo.

Top Channel