SHBA, edhe Priebus kundër mediave

23/01/2017 08:20

Figura kyçe të administratës së Donald Trumpit janë përfshirë në një luftë të re verbale me median. Të shtunën ishte vet presidenti, ai që dënoi shtypin për raportet mbi turmat e mbledhura në ceremoninë e tij të betimit më 20 janar.

Këtë herë ishte shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Reince Priebus, ai që u hodh në aksion. “Ekziston një mani e mirëfilltë për të delegjitimuar presidentin, – deklaroi Priebus. – Por nuk do të rrimë duarkryq e thjesht të pranojme se çfarë thonë. Ne do të luftojmë çdo ditë, dhëmbë për dhëmbë”.

E vërteta, megjithatë, është se fotot e publikuara këto ditë tregojnë se, në ceremoninë e betimit të Barack Obamës në vitin 2009 kishte më shumë njerëz. Deklaratat e kundërshtuara të Sekretarit të Shtypit në administratën e re, Sean Spicer, se ishin 720 mijë vetë të mbledhur në “National Mall” të Uashingtonit u denoncuan në “New York Times” si pretendime të rreme, e “CNN” dhe “ABC News” e vunë gjithashtu në dyshim shifrën e ofruar.

Stafi i miliarderit i mbrojti më vonë pohimet e Spicer, duke i përshkruar si “fakte alternative”, e u hodh në sulm duke ndjekur linjën e shefit të ri të Shtëpisë së Bardhë, që i cilësoi reporterët si “disa prej qenieve njerëzore më të pandershme të planetit” .

Argumenti që nxjerrin ndihmësit e Trumpit është se nuk ka asnjë mënyrë për ta llogaritur saktë numrin e pjesëmarrësve në ngjarje të këtyre përmasave. Shtypi vendas ama nuk bindet.

“Washington Post” shkruan se të dhënat e gabuara të Shtëpisë së Bardhë tregojnë se, mënyra tradicionale e raportimit mbi presidentin ka vdekur. “Politico” paralajmëron për pasoja të rënda nga marrëdhënia e vështirë e ekipit të Trumpit me të vërtetën; revista “Atlantik” pyet se çfarë mund të bëjë kjo qeveri në momente vërtet të rëndësishme, kur gënjen për gjëra kaq të vogla; e “Hunffington Post” kërkon që më shumë sesa përmbajtja e gënjeshtrës, njerëzit të fokusohen më shumë te fakti i rëndë që “administrata gënjeu”.

Top Channel