Duterte “mpihet” nga 86 konkurrentet e “Miss Universe”

23/01/2017 00:00

Kandidatet e “Miss Universe”-it i bënë një vizitë kortezie presidentit të Filipineve, Rodrigo Duterte, në pallatin “Malacanang”, përpara mbajtjes së konkursit të tyre në Manila.

Njeriu që prej muajsh të tërë e ka zhytur vendin në ankth me luftën e tij të egër kundër drogës, shoqëruar nga mijëra të vrarë, dukej si i ngrirë përpara 86 bukurosheve të mbledhura në kryeqytetin e Filipineve, për një garë e cila e mbërrin kulmin e saj me dorëzimin e kurorës më 30 janar.

Duterte i falënderoi vajzat për qëndrimin në vendin e tij.

“Më shumë sesa prezantimi i bukurisë, por edhe ai i mendjes së pjesëmarrëseve, konkursi ‘Miss Universe’ ose çdo konkurs tjetër bukurie me peshë, është një mundësi për ju që të përfaqësoni vendin tuaj, për të promovuar vlerat e për ta afishuar fuqinë e gruas përpara një publiku më të gjerë”, tha Rodrigo Duterte, president i Filipineve.

Javën që shkoi, rreth 30 prej vajzave në garë morën pjesë në një shfaqje bamirësie, e paketuan ushqime për gratë e paprivilegjuara.

“Ndihem shumë e nderuar, sepse me pjesëmarrjen në këtë aktivitet, e di që po ndihmoj njerëz në nevojë, po ndihmoj mikesha të uritura, të cilat nuk arrijnë të sigurojnë dot as ushqimin e tyre”, tha Li Zhenyang, Miss Kina.

Përveç seancave fotografike dhe pasarelave, vajzat janë gjithashtu të zëna me udhëtimet në zona të ndryshme të Filipineve dhe pjesëmarrjen në mjaft aktivitete të tjera me atë të mësipërmin, të cilat e bëjnë mjaft të ngjeshur axhendën e tyre përpara konkursit.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel