Pakënaqësia ndaj Trump, mur kartoni në Meksikë

21/01/2017 00:00

Një mur me kuti kartoni përpara Ambasadës amerikane në Mexico City ishte shprehja më e qartë e asaj çfarë mendojnë meksikanët për Presidencën Trump.

Ngritja e murit në kufi me Meksikën ishte një prej zotimeve më të forta të fushatës së biznesmenit republikan, e tani që ai u vendos në krye të Shtëpisë së Bardhë, frika se ky premtim do të bëhet realitet nuk i lë më vend shpresës.

“Ne jemi kundër ndërtimit të murit dhe do të nisim marshimet sepse qeveria meksikane nuk i është përgjigjur kërcënimeve të Donald Trump-it, ashtu siç do të donin qytetarët e këtij vendi. Trump thotë se meksikanët do të paguajnë për ndërtimin e murit. Meksikanët i përgjigjen se nuk e kanë ndërmend aspak një gjë të tillë”, tha një protestues.
 
Gjermanët nuk e kanë fshehur kurrë skepticizmin ndaj Trump-it, por ndryshe nga deklarata e ashpër e zëvendëskancelarit Sigmar Gabriel dhe paralajmërimi i tij për ditë të vështira përpara, sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson e sheh me optimizëm vazhdimësinë e marrëdhënieve dypalëshe.

“Them se presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara e ka treguar me fjalët e tij se dëshiron ta vendosë Britaninë në vijën e parë të një traktati të ri. Kjo sigurisht është shumë entuziazmuese. Ai duket mjaft i prirur për ta bërë sa më shpejt një gjë të tillë”, u shpreh Boris Johnson.

Gazeta “Global Times” në Kinë, organ i Partisë Komuniste shkruan se administrata “Trump” ka për të ndezur shumë zjarre si në “oborrin e vet”, ashtu edhe nëpër botë. “Le të presin e të shohim kur t’i vijë radha dhe Kinës”, ishte komenti i saj.

Presidentja e Tajvanit e uroi Trump-in në rrjetin social “Tëitter”, duke i dhënë një tjetër ngacmim Pekinit të acaruar, ndërkohë nga shkelja e protokollit me telefonatën e një muaji më parë mes dy liderëve. Moska ka dhënë çdo sinjal të mundshëm se e mirëpret këtë presidencë.

Entuziazmin e rusëve e tregoi edhe një herë fare qartë monedha një kilogramësh prej argjendi e prodhuar nga studio “Art-Grani” me rastin e betimit të presidentit të ri.

Ajo ka të gdhendur datën 20 janar, në pjesën e parme shihet portreti i presidentit të 45-të amerikan dhe në atë të pasme, statuja e “Lirisë”.

Në televizionin shtetëror të Iranit u tha vetëm se presidenti i amerikan e nis punën në mesin e protestave. Kryeministri izraelit uroi në “Twitter” “mikun e tij Trump”, ndërsa shumë palestinezë e pritën me dëshpërim këtë moment, sepse nuk e shohin kreun e ri të Shtëpisë së Bardhë si një njeri të paqes.

Top Channel