Itali, kryeministri Gentiloni i nënshtrohet koronarografisë

11/01/2017 00:00

Kryeministri italian Paolo Gentiloni i është nënshtruar një koronarografie urgjente, një procedurë kjo për zhbllokimin e arterieve të dëmtuara të zemrës, pasi u ndie keq ndërsa po kthehej nga Parisi, të martën.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësja e tij. Kryeministri 62-vjeçar, që e mori detyrën muajin e kaluar, pas operacionit në Spitalin “Gemelli” të Romës është në gjendje të mirë, shton zëdhënësja Flaminia Lais.

Një burim spitalor tha se operacioni u zhvillua të martën në mbrëmje. Nuk janë dhënë, ndërkohë, detaje të tjera mbi gjendjen apo prognozën e tij. Gentiloni u takua me presidentin francez, François Hollande, të martën në Paris.

Ai duhej të fluturonte drejt Londrës për t’u takuar me kryeministren Theresa May të enjten. Gentiloni, nga Partia Demokratike e qendrës së majtë, krijoi qeverinë pasi kryeministri Matteo Renzi dha dorëheqjen pas rezultatit zhgënjyes në referendumin për reformën kushtetuese.

Top Channel