Mbijeton në -20 gradë

10/01/2017 00:00

Një burrë në Serbi i ka mbijetuar mrekullisht ngricës ndonëse i bllokuar për dy ditë e gjysmë në një pus, ndërkohë që termometri shënonte shumë gradë nën zero.

Jezdimir Milic ishte larguar nga shtëpia mëngjesin e së premtes për të blerë ushqime përpara krishtlindjeve ortodokse, por nuk u kthye më. Jezdimir u gjet rreth 52 orë më vonë në një pus, ndërsa temperaturat në zonë ishin diku tek minus 20 gradë celsius.

Ishte fqinji i tij, Goran Markovic, ai që e gjeti dhe thotë se shikimi i dobët i Milic mund të jetë arsye perse nuk e ka parë pusin 5 metra të thellë. Vëmendjen e fqinjit e kishte tërhequr një qese me ushqime në buzë të pusit. Kur është afruar, Markovic ka dëgjuar edhe thirrje për ndihmë dhe e ka parë Milicin në fund të tij, me duart dhe këmbët të mbledhura pas gjoksit.

Ai menjëherë ka dhënë alarmin dhe në fund, ekipet e zjarrfikësve arritën ta nxjerrin burrin nga pusi. Burri është shtruar në spital, ku po trajtohet për hipotermi dhe lëndime nga rrëzimi.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel