Filipine, miliona vetë në procesionin e “Nazarenës së zezë”

09/01/2017 00:00

Qindra e mijëra të devotshëm iu bashkuan procesionit në Manila të hënën, për të nderuar statujën qindravjeçare të Jezu Krishtit, që besohet se ka fuqi shëruese.

Statuja që njihet me emrin “Nazarena e zezë”, një ikonë e shekullit të XVII e gjetur në Meksikë, besohet se ka fuqi shëruese dhe mund të bëjë mrekulli.

Njerëzit, këmbëzbathur, të veshur me bluza të kuqe dhe të verdha, valëvisnin shami të bardha, ndërsa thërrisnin “Rroftë ikona Nazarenë” gjatë lutjeve të mëngjesit, që u pasuan nga një procesion 5 kilometra i gjatë.

Gjatë këtij procesioni, njerëzit përpiqen – e madje edhe përleshen me njëri-tjetrin, – për t’iu afruar sa më shumë statujës së adhuruar dhe për ta fërkuar atë një herë me shamitë e tyre. Disa madje janë aq këmbëngulës për të prekur ikonën e drunjtë, saqë ngjiten edhe mbi kokat apo shpatullat e të tjerëve, ndërkohë që statuja lëviz ngadalë mes turmës.

Të tjerë ua hedhin shamitë e tyre personave që mbajnë statujën për ta fërkuar një herë atë, me shpresën se do të mund të marrin ndonjë nga fuqitë e saj shëruese. Procesioni ka edhe rreziqet e veta.

Kryqi i Kuq i Filipineve ka raportuar për mbi 100 besimtarë të lënduar që nga fillimi i procesionit, për shkak të shkeljeve apo hiperventilimit. Në 2016-n, dy vetë mbetën të vdekur dhe 1.200 të tjerë u plagosën gjatë ritualit të përvitshëm.

Procesioni zgjat për mbi 20 orë, ndërkohë që kisha thotë se rreth 15 milionë njerëz i bashkohen atij. Ai shënohet prej më shumë se 200 vitesh në kryeqytetin e Filipineve, ku 80 për qind e popullatës është katolike.

Nuk dihet përse statuja është e zezë, edhe pse sipas miteve, statuja origjinale e dhuruar nga priftërinjtë spanjollë ishte djegur pas shpërthimit të një zjarri, në anijen që po e çonte atë në Filipine. Statuja që qarkullon nëpër rrugë, sidoqoftë nuk është më origjinalja, që është e dëmtuar dhe ruhet në Bazilikën e Nazarenës së zezë.

Top Channel