Takimi me krerët e inteligjencës, Trump: Hakerimi, asnjë efekt tek zgjedhjet

06/01/2017 00:00

Pirateria nuk pati asnjë efekt në rezultatin e zgjedhjeve. Kështu ka deklaruar presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump pas takimit me krerët e shërbimeve të inteligjencës.

Takimin me shefin e CIA-s, James Clapper dhe drejtorin e FBI-së, James Corney, presidenti e ka cilësuar si “konstruktiv”.

Por në një deklaratë ai ka refuzuar të drejtojë gishtin nga Rusia duke thënë vetëm se, “kam një respekt të hatashëm për punën e bërë dhe shërbimin e kryer nga punonjësit e komunitetit të inteligjencës”.

“Teksa Rusia, Kina, vende të tjera dhe grupe të jashtme përpiqen vazhdimisht të thyejnë infrastrukturën kibernetike të institucioneve tona qeveritare, bizneseve dhe organizatave, përfshirë Komitetin Kombëtar Demokrat, mbi rezultatin e zgjedhjeve nuk ka patur absolutisht asnjë efekt”, ka thënë Trump.

Sidoqoftë, ai ka bërë me dije se brenda 90 ditëve nga marrja e detyrës do të kërkojë hartimin e një plani për parandalimin e sulmeve informatike.

Krerët e shërbimeve sekrete amerikane pretendojnë se Rusia ishte prapa sulmeve informatike ndaj email-eve të Partisë Demokratike, duke dëmtuar kandidaturën e Hillary Clinton.

Por pak orë përpara takimit, Trump e hodhi poshtë këtë deklaratë duke e cilësuar një “gjueti politike shtrigash” të organizuar nga kundërshtarët e tij.

Ai tha për “New York Times” se institucionet amerikane janë sulmuar edhe më parë nga piratët informatikë, por nuk kishin marrë të njëjtën vëmendje mediatike sikurse rastet e dyshuara gjatë fushatës zgjedhore.

Top Channel