Ofendoi Erdoganin në “Facebook”, arrestohet 50-vjeçarja kanadeze

06/01/2017 00:00

Pavarësisht valës së terrorit në vend, që duket e pandalshme dhe që ka tmerruar turqit në masë, autoritetet lokale duket se kanë kohë që të merren edhe me ata që postojnë kritika ndaj presidentit Erdogan në “Facebook”.

Kjo i ka ndodhur një qytetareje me nënshtetësi të dyfishtë turko-kanadeze, e cila u arrestua pasi akuzohet se ka fyer presidentin. 50-vjeçarja Ece Heper mësohet se është arrestuar që më 30 dhjetor në lindje të Turqisë.

Kodi Penal turk parashikon se kushdo që fyen presidentin mund të përballet me 4 vite burg. Shumë njerëz kanë reaguar ashpër ndaj gjestit të autoriteteve turke, duke thënë se Heper thjesht shprehu mendimin e saj dhe nuk mund të arrestohet vetëm sepse nuk i pëlqen qeverisë.

Prej kohësh, Erdogan akuzohet se ka krijuar një ambient frike në vend ndaj kundërshtarëve dhe kritikëve të tij, por sipas analistëve, ndërsa autoritetet nuk po ndalin dot sulmet e njëpasnjëshme terroriste në vend, duket mjaft ironike që gjejnë kohën të arrestojnë ata që kritikojnë presidentin, apo nuk mendojnë si ai.

Rasti i Ece Heper, e cila gjendet në burg në pritje të daljes para gjykatës, nuk është i vetmi, pasi vitet e fundit në Turqi janë regjistruar rreth 2.000 padi penale ndaj atyre që akuzohen se kanë fyer presidentin Erdogan.

Top Channel