SHBA, shefat e shërbimeve sekrete: Rusia, kërcënim madhor kibernetik ndaj SHBA-ve

05/01/2017 00:00

Sulmet kibernetike ruse përbëjnë një “kërcënim madhor” ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kështu janë shprehur zyrtarë të lartë të shërbimeve sekrete amerikane gjatë një seance dëgjimore në Kongres të kësaj të enjteje, pavarësisht skepticizmit të presidentit të zgjedhur Donald Trump mbi konkluzionet se Moska ka orkestruar sulmet pirate në zgjedhjet presidenciale të 2016-s.

Edhe pse Trumpi e quajti veten si në “fans i madh” i komunitetit të shërbimeve sekrete sot, ai pritet të përfshihet në një konflikt mbi këtë çështje me demokratët dhe disa prej republikanëve të tij në Kongres.

Shumë ligjvënës janë të ndjeshëm dhe tepër të kujdesshëm në lidhje me Moskën, ndërkohë që nuk u besojnë aspak lavdeve të Trumpit për presidentin rus Vladimir Putin, si dhe përpjekjeve për të shëruar mosmarrëveshjet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Trump, i cili bëhet zyrtarisht president i Amerikës më 20 janar, do të informohet nga shefat e agjencive sekrete ditën e premte, mbi sulmet që shënjestruan Partinë Demokratike gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale, të cilat u fituan prej tij.

Drejtori i Inteligjencës Kombëtare, James Clapper; drejtori i Agjencisë për Sigurinë Kombëtare, Mike Rogers; si dhe nënsekretari i Mbrojtjes për Inteligjencën, Marcel Lettre, që të gjithë dëshmuan këtë të enjte përpara Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit, që kryesohet nga republikani John McCain, një kritik i shquar i Putinit.

Zyrtarët e shërbimeve sekrete e përshkruan Moskën si një kërcënim madhor ndaj një game të gjerë interesash të Shteteve të Bashkuara, për shkak të “programeve tepër të avancuara për sulme kibernetike” dhe aftësive të sofistikuara.

“Rusia është një pirat kibernetik i shkallës së gjerë, që përbën një kërcënim madhor ndaj qeverisë amerikane, ushtrisë, diplomacisë, tregtisë dhe infrastrukturës”, thanë ata në një deklaratë të përbashkët.

Obama urdhëroi javën e kaluar dëbimin e 35 rusëve të dyshuar si spiunë dhe vendosi sanksione ndaj dy agjencive të shërbimeve sekrete ruse, për shkak të përfshirjes së pretenduar të tyre në sulmet kibernetike ndaj grupeve politike amerikane në zgjedhjet e 2016-s.

Agjencisë amerikane të Inteligjencës thonë se Rusia fshihet pas sulmeve që prekën organizatat e Partisë Demokratike dhe operatorë të tjerë përpara zgjedhjeve, një përfundim i mbështetur edhe nga disa firma private të sigurisë kibernetike. Moska, gjithsesi, mohon akuzat për këto sulme kibernetike.

Top Channel