Trump ironizon CIA-n. I vonuan raportin për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane

04/01/2017 00:00

Donald Trump e ka shënjestruar sërish komunitetin amerikan të inteligjencës me një mesazh në rrjetin social “Twitter”, ku sqaron se i kanë vonuar raportin mbi pretendimet e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale.

“Mbase duhet më shumë kohë për të parashtruar rastin. Shumë e çuditshme kjo”, shkroi presidenti i zgjedhur i Amerikës në platformën e tij të parapëlqyer të komunikimit.

Zyrtarët e inteligjencës amerikane këmbëngulin megjithatë se nuk ka vonesë të afateve të dorëzimit.

Një sërë agjencish amerikane, përfshirë këtu dhe FBI-në e CIA-n, janë të bindura se pas sulmeve kibernetike ndaj Partisë Demokrate dhe fushatës së Hillary Clintonit qëndron Rusia, e cila ka përcjellë edhe materiale dëmtuese përmes “Wikileaks”-it e platforma të tjera, për të ndihmuar Trumpin të fitonte zgjedhjet.

Miliarderi i hodhi fillimisht poshtë si “qesharake” të tilla pretendime, por më pas u shpreh se do t’i takonte krerët e shërbimeve sekrete për të marrë prej tyre një përditësim të fakteve mbi situatën e krijuar.

Themeluesi i “Wikileaks”, Julian Assange deklaroi edhe një herë të martën se nuk është Moska burimi i “e-mail”-eve të Partisë Demokrate, të publikuara nga kjo faqe në periudhën e etheve të garës për presidencën amerikane. Republikanët, ndërkohë, rrëzuan planin për ruajtjen e pavarësisë së Zyrës së Etikës në Kongres, e cila heton sjelljet e parregullta politike.

Top Channel