Misteri i autorit të sulmit në Turqi, i dyshuari thjesht i ngjante

03/01/2017 00:00

Për disa ore mediat turke lakuan emrin e një 28-vjeçari nga Kirgistani, si autorin e dyshuar të sulmit që përgjaku festën e vitit të ri në Stamboll, por identiteti i vrasësit vazhdon të rrethohet nga misteri.

Televizioni shtetëror turk TRT përhapi lajmin se atentatori ishte identifikuar si Ihake Mashrapov, por ky i fundit pretendon se është ngatërruar me vrasësin për shkak të ngjashmërisë me të.

Sipas agjencisë së lajmeve Akipress, 28 vjeçari gjendej në Kirgistan në 31 dhjetor, e në 1 janar kishte udhëtuar drejt Stambollit për çështje tregtare. Në kthim u ndalua në aeroport nga forcat e rendit.

Mashrapov raportohet të ketë thënë se ishte marrë në pyetje nga policia për shkak të ngjashmërisë me njeriun që shfaqej ne foto dhe se më pas ishte lënë i lirë.

Në rrjetet sociale ishte publikuar edhe një foto e pasaportës së tij. Më herët burime të policisë njoftuan edhe arrestimin e bashkëshortes së 28-vjeçarit në qytetin e Konya-s në Turqi, ku Mashrapov kishte shkuar bashke me të dhe fëmijet në fund të muajit nëntor.

Top Channel