Infantino pa “frena”

28/12/2016 00:00

Presidenti i FIFA-s Gianni Infantino i qëndroi besnik idesë për një Botëror futbolli të zgjeruar më shumë se kurrë.

Zvicerani foli mbi të ardhmen e institucionit që ai drejton duke mbështetur eksperimentet me sistemin video të arbitrave, si dhe shpalosi disa risi për Komitetin Ekzekutiv të qeverisë së futbollit botëror.

“Jam plotësisht i bindur që të zgjeroj formulën e pjesëmarrjes në Botëror në më shumë se 32 kombëtare. Po konsiderojmë një opsion për 40 ose 48 ekipe me të njëjtën kohëzgjatje si turneu aktual dhe të gjitha federatat janë në favor të një plani të tillë.

Ndërkohë edhe testet për sistemin VAR që ndihmon arbitrat kanë qenë pozitive dhe në drejtimin e duhur”, tha Infantino.

“Ka një Këshill Drejtues të ri dhe më të fortë në FIFA. Për të qenë më efikas numri shkon nga 24 në 37 anëtarë. Ka patur gjithmonë probleme me biletat, por kemi shtuar kontrollet dhe do të bëjmë të mundur një transparencë më të madhe. Do të ketë gjithashtu më tepër kontroll në caktimin e vendeve që organizojnë Botërorin. Duke nisur nga 2026, do të lejojmë edhe kandidatura të përbashkëta”, tha presidenti i FIFA-s.

Top Channel