Akuzat e PD për përkthimin e Vettingut, reagon Brukseli: Të rreme!

06/12/2016 00:00

Pas Ambasadorit të Shteteteve të Bashkuara që foli për “frikacakë që i tremben Vettingut dhe po vonojnë reformën në drejtësi”, akuzave të opozitës që pretendon se Euralius ka shtrembëruar përkthimin e dërguar në Komisionin e Venecias, u është kundërvënë edhe Maja Koçijançiç.

Zëdhënësja për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë e BE-së i quan të rreme këto pretendime.

“BE dënon përhapjen publike të akuzave të rreme që pretendonin se EURALIUS dhe Delegacioni i BE-së janë përfshirë në gabime që supozohen të qëllimshme në përkthimin anglisht të legjislacionit shqiptar që i është dërguar për shqyrtim Komisionit të Venecias”, thuhet në deklaratë.

Koçijançiç vë në dukje mbështetjen e shqiptarëve për reformën në drejtësi, e ku përfshihet edhe Vettingu.

“Veprimet apo deklaratat, të cilat në mënyrë artificiale synojnë të krijojnë konfuzion, duket se kanë të vetmin  qëllim që të mundohen të vonojnë zbatimin e reformës së drejtësisë, përfshirë rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, shtohet më tej në reagim.

Në fund, Koçijançiç thotë se BE është e vendosur të vazhdojë të sigurojë gjithë asistencën e nevojshme që qytetarët e Shqipërisë të kenë qasje në një sistem drejtësie të besueshëm dhe të përgjegjshëm.

Top Channel