Rusia përforcon sigurinë, ‘rinovon’ qentë

29/11/2016 00:00

Në fushën e sigurisë qentë kanë filluar të zënë një vend të rëndësishëm duke parandaluar përmes nuhatjes sulme me lëndë plasëse ose trafik kokaine.

E në këtë kuadër, Vladimir Putin ka vendosur që të ‘rinovojë’ armatën e qenve të shërbimeve ruse të sigurisë. Bëhet fjalë për rreth 500 qen të klonuar nga një profesor koreano-jugor, ku njëri prej tyre kushton plot 100 mijë dollarë.

Qentë janë ‘prodhim’ i laboratorit “Sooam Biotech”, i pari në botë në fushën e klonimit. Aktualisht laboratori ka dorëzuar vetëm tre prej tyre, ndërkohë që autoritetet ruse se shumë shpejt do të tërheqin edhe qentë e tjerë, që do të shpërndahen tek të gjitha shërbimet e sigurisë.

Qentë do të bëhen pjesë e ushtrisë, forcave speciale të ushtrisë, doganës e madje edhe shërbimit sekret FSB.

Për të gjithë këtë dërgesë, Rusia nuk do të fusë dorën në xhep. Qentë janë dhuratë e profesorit koreano-jugor, Hwang Woo Suk. Ky i fundit shpreson që me këtë veprim të marrë dritën jeshile nga autoritetet ruse për të marrë nga Yakutia, rajoni më i ftohtë i banuar në botë dhe muzeu historik i këtij rajoni mostra për klonimin e mamuthëve.

Ideja e Hwang Woo Suk ka ngjallur reagime të shumta. Ka nga ato që mirëpresin këtë klonim, por një pjesë e madhe e kundërshtojnë duke thënë se kjo shkel ligjet e natyrës.

Top Channel