Facebook punoi për krijimin e një programi special kompjuterik në mënyrë që të kënaqte kërkesat e censurës në Kinë. Akuza e rëndë vjen nga gazeta “New York Times”, e cila sjell dëshmitë e ish-punonjësve dhe punonjësve aktualë të Facebook, që kanë preferuar të mbeten anonimë.

Rrjeti social refuzoi që të konfirmojë apo mohojë ekzistencën e këtij programi dhe përmes një komunikate tha se Facebook po investon kohë që të kopjojë dhe mësojë më shumë për Kinën. Grupe të ndryshne aktivistësh që luftojnë për privatësinë në internet thanë se raporti i “New York Times” për Facebook është tejet shqetësues. Sipas burimeve të “New York Times”, programi i dizenjuar nga Facebook mbase nuk do të përdoret kurrë, por krijimi i tij tregon që gjigandi i rrjeteve sociale e ka konsideruar nënshtrimin ndaj censurës për hir të biznesit.

Facebook ka 1,8 miliardë përdorues dhe po përpiqet agresivisht që të shtrihet sa më shumë në botë, përfshirë vende si Kina, ku që prej vitit 2009, e vetmja mënyrë për të hapur Facebok është përmes një programi që nuk tregon vendndodhjen e përdoruesit dhe shmang kufizimet në internet. “New York Times” shkruan se gjatë një takimi me stafin, në kuadër të kësaj çështjeje, vetë themeluesi i Facebook, Mark Zukerberg tha se është më mirë të jesh pjesë e një bisede, edhe nëse s’është bisedë e plotë. Programi special i Facebook, i raportuar nga “New York Times”, bën të mundur angazhimin e një pale të tretë, mundësisht një kompanie kineze që të punojë me Facebook që të ndalojë edhe postimin e mesazhve në platformë.

Në Kinë, ku numri i temave të censuruara është tejet i madh, Facebook bëhet kompania e radhës që përballet me labirintin moral të kryerjes së biznesit në këtë vend. Analistët thonë se Google refuzoi ta bënte dhe u tërhoq nga Kina, ndërsa nëse Facebook shet parimet për hir të tregut, impakti mbi të drejtat e njeriut do të ishte i madh.

Top Channel