Fitorja e Juves, 3 pikë e moral i lartë

30/10/2016 00:00

Trajneri i kampionëve të Italisë në futboll nuk e fshehu kënaqësinë e suksesit ndaj një rivali direkt për titullin në Serinë A, me Juventus që u imponua 2-1 ndaj Napolit në Torino.

Tekniku i bardhezinjve vlerësoi marrjen e 3 pikëve që kontribuon dhe në moralin e skuadrës, ndërsa nënvizoi dhe Romën si pretendente serioze.
 
“Është një sukses i rëndësishëm pasi jemi tashmë 7 pikë më shumë se Napoli, dhe sepse triumfuam ndaj një skuadre rivale direkte për titullin që luan shumë mirë futboll”, tha Alegri.

Pragmatizmi i trajnerit të Juventus mbi klasifikimin dhe moralin është i dukshëm.

“Më pëlqeu sidomos pjesa e dytë pasi krijuam shumë edhe pse pësuam një gol që mund ta kishim evituar. Ushtruam presing në zona të larta dhe ishim më agresivë se Napoli”, tha tekniku i kampionëve të Italisë.
 
Juve-Napoli duhej të ishte ndeshja e Gonzalo Higuain dhe bomberi argjentinas e konfirmoi veten në një moment vendimtar të 90 minutëshit.

“E dija që ai do të jepte maksimumin në fushë. Bëri shumë dhe u impenjua njësoj si Mandzukic edhe pse thonë që ata të dy nuk mund të luajnë bashkë në formacion”, tha trajneri i Juves.

Top Channel