“Halloween”-i mund të nënkuptojë çdo gjë, nga argëtimi tek frika dhe në Nju Jork mënyrat e kremtimit të tij janë të ndryshme. Ata që kërkojnë emocione të forta i janë drejtuar shtëpisë më të madhe të argëtimit të banuar nga fantazmat, “The Uninvited: Awakening”, për të parë, nuhatur dhe ndierë tmerrin nga afër.

Dalton Dale, krijuesi i shtëpisë, tha: “Kur hyn aty, zhytesh në një botë të çmendur e të frikshme, ku shpirtrat i ke shumë pranë. Që do të thotë se do të të prekin, do të të llahtarisin me gjërat që bëjnë. Je në purgator”.
 
45 aktorë janë angazhuar për t’i dhënë drithërima në trup frekuentuesve të shtëpisë gjigande, në dyert e së cilës pritet të kalojnë rreth 75 000 vetë. Ndërkohë, menaxherja e marketingut, Nika Cadet, thotë se trendi i kostumeve vazhdon të ndjekë kulturën pop.

“Ka shumë objekte të natyrës politike sepse ato janë goxha të preferuara tani. Ka maska dhe kostume nga “Suicide Squad”, një film mjaft popullor ky i verës. Megjithatë, njujorkezët janë shumë krijues dhe inovatorë, ndaj preferojmë të mos marrim sasi, por të kemi shumëllojshmëri dhe veçanti kostumesh”, tha Cadet.
 
Blerësi Patrick Kane shpreson të bëjë shumë bujë me buxhet të ulët: “Dua ta blej sa më lirë që të jetë e mundur sepse do ta vesh vetëm një herë. Kam ndërmend të jem Garthi nga “Wanye’s World”.

“Halloween”-i festohet në të gjithë botën në datën 31 tetor.

Top Channel