Reduktimi i faunës, 58% më pak që nga viti 1970

27/10/2016 00:00

Popullsia e faunës në botë është reduktuar me 58% që prej vitit 1970. Shifra tronditëse është përfudimi i një studimi të kryer nga Shoqëria Zoologjike e Londrës në bashkëpunim me Fondin Botëror për Kafshët.

Në raportin e përpiluar nga këto dy organizma elitë përsa i takon mbrojtjes së kafshëve, shkruhet se nëse trendi negativ vazhdon, reduktimi mund të arrijë dy të tretat mes vertebrorëve në vitin 2020. Studimi sugjeron se kafshët që jetojnë në liqene, lumenj dhe këneta po pësojnë humbjet më të mëdha. Aktiviteti njerëzor, përfshirë humbjen e habitatit, trafikun e kafshëve, ndotjen dhe ndryshimet klimaterike, kontribuon ndjeshëm në këtë ulje të numrit të kafshëve në mbarë botën.

Raporti “Planeti i gjallë” shqyrtoi të dhëna të grumbulluara për 3700 specie zogjsh, peshqish, gjitarësh, amfibësh dhe reptilësh, që përbëjnë 6% të numrit total të specieve vertebrore në botë. Më pas, studiuesit analizuan se si përmasat e popullsisë së këtyre speciave kishin ndryshuar që prej vitit 1970. Hartuesit e raportit thonë se duhen marrë masa të menjehrshme dhe serioze për të ndaluar këtë shkatërrim të faunës në botë.

Por, raporti dhe metodologjia e tij nuk kanë kaluar pa kritika. Ekspertë të ndryshëm thanë se pakësimi i popullsisë së kafshëve nuk mund të përmblidhet në një numër të vetëm, duke qenë se ka mangësi të theksuara të dhënash. Sipas tyre, raporti më i fundit mbështetet kryesisht në të dhëna që vijnë nga Evropa dhe se nuk ka thuajse informacion nga Amerika Latine apo Afrika. Sipas tyre, nuk ka dyshim që aktiviteti i njeriut ka ndikuar në reduktimin e numrit të faunës, por duhen bërë studime më të sakta në mënyrë që të zbulohen zonat ku duhet ndërhyrë, pasi publikimi i shifrave të tilla të frikshme, mbi të gjitha të pabaza, nuk i shërben asnjë qëllimi.

Top Channel