“Këto foto më shkaktojnë ende dhimbje”. Kështu e nis rrëfimin e saj për BBC, fotografja italiane Letizia Battaglia, e bërë e famshme për shkrepjet e bëra në Siçili në kulmin e aktivitetit të mafias.

Ajo ka vendosur që t’i tregojë edhe njëherë botës dhimbjen që ka shkaktuar dhuna dhe vrasjet mafioze në vendlindjen e saj, përmes një albumi të zgjeruar fotografish të punuara enkas bardhezi që do të ekspozohet gjatë nëntorit në Romë.

Njëra prej shkrepjeve të saj të famshme tregon momentet pas vrasjes nga mafia të kryebashkiakut të Siçilisë, Piersanti Mattarella. Në fotografinë trupi i tij i pajetë nxirret nga makina nga Sergio Mattarella, sot President i Italisë.

“Është shumë e pabesueshme sesi një fotografi mund të ndryshojë kuptim me kalimin e kohës. Sot, kjo foto nuk ka të bëjë më me atë që u vra, por me vëllain e tij dhe për mua është një simbol i shpresës. Sot, Presidenti i vendit tonë e ka në gjak luftën kundër mafias, përgjithmonë”, thotë vetë Letizia.

Sot 82 vjeç, fotografja rrëfen se për të bërë shkrepje sa më të mira përdorte lente këndgjera dhe i duhej të afrohej shumë me objektivin. Ndonjëherë shumë afër, si në shkrepjen nga momenti i shoqërimit në pranga të Leoluca Bagarella, i dënuar për dhjetra vrasje mafioze në Siçili.

“Ishte një person i frikshëm, që nuk donte të fotografohej. Kur më kaloi afër më goditi me supe dhe menjëherë pas shkrepjes rashë në shesh”, rrefen vetë fotografja.

Nga 1970 deri vonë pas 1990, mafia kishte prekur çdo sferë të jetës së siçilianëve dhe këtë Battaglia e ka dokumentuar përmes një fotoje në festën e “Ditës së të Vdekurve”, festë tradicionale në ishullin italian dhe ku fëmijët shiheshin rrugëve me pistoleta lodra dhe të maskuar dhe luanin “me vrasje”.

Fatkeqësisht, Letizia ka një arkiv të zgjeruar me foto të shkrepura nga skena krimi, mes të cilave është edhe njëra që tregon një mashkull të ekzekutuar në rrugët e Palermos.

“Trupi i pajetë shtrihet në trotuaret karakteristike siçiliane, me një makinë me targa të Palermos dhe tregon sesi ishte jeta e përditshme e banorëve të qytetit. Ishte një luftë civile”, thotë ajo.

Battaglia përqendrohej me aparatin e vet edhe tek të afërmit apo kureshtarët e një skene krimi.

“Ishte e çuditshme sa njerëz mblidheshin pas një vrasje dhe që të gjithë ishin mësuar me to, madje shpesh shihje edhe fëmijë që pas kordonave policorë hanin të qetë akullore”, shprehet ajo.

Mes fotove të shkrepura prej saj është edhe ajo fill pas vrasjes së gjyqtarit Cesare Terranova, që u ekzekutua nga mafia në një pritë në vitin 1979. Letizia shpjegon edhe teknikën bardhezi.

“Përdorja gjithmonë foto bardhezi. Nuk pranoja kurrë ngjyrën e gjakut në fotot e mia. Nuk doja të prodhoja dhe publikoja foto vetëm për bujë, doja të nderoja të gjitha viktimat e mafias”, thotë ajo.

Një tjetër shkrepje e saj është edhe ajo në të famshmin “gjyqi i 114” në vitin 1978, ku dolën para drejtësisë 114 persona të akuzuar si mafiozë. Kur kuptuan se po fotografoheshin, pjesa më e madhe e tyre mbuluan fytyrat, përveç njërit dhe të akuzuarit kryesor.

“Njeri në qendër është Gaetano Fidanzati, që nuk i trembej aparatit fotografik. Ai ishte i njohur pasi ishte një kapo i fuqishëm i mafias”, shpjegon Letizia.

Letizia ka dokumentuar edhe një foto të gjyqtarit Giovanni Falcone duke marrë pjesë në varrimin e Carlo Alberto dalla Chiesa, shef i policisë së Palermos, i vrarë në vitin 1982.

“Më pëlqente Giovanni Falcone. Dukej që ishte një njeri që donte të na ndihmonte ne dhe kur kam shkrepur këtë foto nuk e imagjinoja kurrë se ai vetë do të përfundonte i vrarë nga mafia”, thotë sot fotografja italiane.

Vrasja e Falcones konsiderohet si një pikë kthese në luftën kundër mafias dhe u pasua nga një sërë protestash qytetare kundër dhunës dhe krimeve mafioze.

“Beteja kundër mafias vazhdon akoma. Ndonjëherë mendoj se nuk do t’ja dalim kurrë që ta mposhtim atë, ndonjëherë them jo! Ne duhet të luftojmë drejt fitores përfundimtare. Tani që jam 82 vjeç unë nuk do të mund ta shoh këtë fitore, por lufta duhet të vazhdojë dhe shpresoj që këtë fitore ta shohin të paktën nipërit, mbesat dhe stërnipërit dhe stërmbesat e mi”, thotë Letizia Battaglia.

FOTO GALERI
1/9
Sergio Mattarella, sot President i Italise, nxjerr nga makina trupin e vellait te vrare, Piersanti Mattarella

Top Channel