Të kalosh “Halloween”-in në kështjellën e Drakulës

18/10/2016 00:00

Festa e “Halloween”-it po afron dhe një vend i përsosur për ata që duan të përjetojnë adrenalinë dhe frikë në ditën që simbolizon rikthimin e shpirtrave të vdekur është edhe kështjella “Bran” në Transilvani të Rumanisë, e njohur ndryshe si “shtëpia e Drakulës”.

Për herë të parë që nga viti 1948, ajo ka hapur dyert për personat që duan të kalojnë natën e “Halloween”-it në ambientet e saj. Një nga pyetjet që do t’u bëhet aplikantëve do të jetë të imagjinojnë se çdo t’i thoshin Drakulës, nëse papritur ai do të rikthehej për të takuar vizitorët në kështjellën e tij.

Por një gjë është e ndaluar atë mbrëmje. Personat nuk mund të marrin me vete hudhra, bizhuteri argjendi apo simbole fetare. E përshkruar si mundësi që vjen njëherë në jetë, ata do të kenë mundësi që përveçse të kalojnë disa orë përrallore nën dritën e qirinjve, të flenë në disa arkivole të mbuluar me kadife dhe të bërë enkas për natën e “Halloween”-it në shtëpinë e vampirit.

E ndërtuar mes një pylli gjigant në malet Carpathian, kështjella do t’i shoqërojë vizitorët e saj specialë me një melodi surprizë në sfond.

Top Channel