Maskë për të gjetur partnerin

18/10/2016 00:00

Gjetja e partnerit të duhur nuk është e lehtë. Por një kompani takimesh në Tokio këmbëngul se për të afruar njeriun e zemrës duhet të fshehësh sipërfaqësoren e të fokusohesh tek personaliteti.

Kjo është dhe arsyeja që e ka shtyrë të vendosë një rregull të qartë: Në takimet e organizuara prej saj, njerëzit duhet të mbajnë në fytyrë maska kirurgjikale.

“Maskat i ndihmojnë njerëzit të mos bien pre e përshtypjeve të para. Që të shkosh drejt martesës, duhet t’i japin vetes mundësinë e njohjes së brendisë së njeriut që do të kesh në krah dhe ta vlerësosh këtë që në fazat e para të marrëdhënies në vend që të gjykosh nga pamja e jashtme”, shprehet Kei Matsumura, drejtuese e Def Anniversary.

Në Japoni, maskat në publik i mbajnë rëndom si femrat ashtu edhe meshkujt që janë të sëmurë e nuk duan të infektojnë të tjerët.

Në disa raste, këtë praktikë e preferojnë dhe gratë e vajzat që nuk kanë vënë “make up” e u vjen zor t’i shohin ashtu.

Ndaj dhe vendosja e një maske në një takim dashurie, nuk është parë si diçka e jashtëzakonshme. Shërbimi i njohjes së personave duke mbuluar fytyrën ka ekzistuar në këtë vend në një formë apo një tjetër që prej vitit 2010.

Biznese të tilla po lulëzojnë gjithmonë e më shumë në një kohë kur lindshmëria ka ardhur në ulje dhe të rinjtë atje janë gjithmonë e më pak të prirur të lidhin kurorë.

Top Channel