Presidenti Nishani kthen në Kuvend ligjin e mbetjeve

14/10/2016 11:45

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka kthyer në Kuvend ligjin për mbetjet, dy ditë pasi takoi përfaqësues të Industrisë së Riciklimit dhe anëtarë të Shoqatës së Ricikluesve, të cilët i kërkuan atij të dekretojë ligjin për mbetjet.

Në arsyetimin e dhënë prej Presidentit, shkruhet se ligji është në kundërshtim me direktivat e Komisionit Europian, sipas të cilit duhet të zbatohet parimi i “vetëmjaftueshmërisë dhe afërsisë” dhe për më tepër nuk është një detyrim që rrjedh nga Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit apo ndonjë marrëveshje tjetër ndërkombëtare të ratifikuar nga Republika e Shqipërisë.

Gjithashtu, ligji bie ndesh me nenin 59 të Kushtetutës, shkruan Presidenti, dhe se procedurat e ndjekura në miratimin e ligjit kanë qenë të përshpejtuara, në mungesë informacioni, transparence dhe pjesëmarrje të qytetarëve.

“Ligji bie ndesh me nenin 59 të Kushtetutës, përmes të cilit përcaktohet se: “Shteti brenda kompetencave dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm”. Lejimi i importit të mbetjeve referuar Ligjit, duke gjeneruar një ndotje shtesë në raport me popullsinë dhe territorin e vendit, mund të kompromentojë në mënyrë të pakthyeshme parimin e zhvillimit të qëndrueshëm të sanksionuar në Kushtetutë”, lexohet në argumentimin e Presidentit.

“Shqipëria është një vend me shumë avantazhe bazuar në atë që i ka dhënë natyra dhe burimet njerëzore vendase dhe ka strategji zhvillimi në bujqësi, turizëm, energji, të cilat nëse vihen në eficencë krijojnë e do të krijojnë mjaftueshëm vende pune dhe mirëqenie në vend. Avantazhi konkurrues për Shqipërinë nuk mund të jetë riciklimi i mbetjeve të importuara”, shton Nishani.

Top Channel