Debati me fyerje personale, fiton Clinton. Trump e kërcënon me burg

10/10/2016 08:30

Debati i dytë televiziv mes dy kandidatëve në garën për Shtëpinë e Bardhë ishte një përplasje edhe më e ashpër se e para, e mbushur me fyerje të nivelit personal. Tradita dikur e shenjtë, e përballjeve të fokusuara te shkëmbimi i komenteve mbi të ardhmen e vendit, u la mënjanë.

Sondazhet tregojnë se Donald Trump ishte më mirë se herën e kaluar, por ndonëse ai pretendon të kundërtën, duket se dhe këtë fitore e rrëmbeu Hillary. Që në fillim u pa qartë se atmosfera në Universitetin “St. Louis” të Missourit nuk do të kishte qenë miqësore. Ndryshe nga radha e parë, rivalët nuk ia dhanë dorën njëri-tjetrit kur hynë në sallë.

Situata shpërtheu kur u prek çështja e komenteve vulgare të Trumpit ndaj grave, të cilat mbushin prej ditësh titujt e parë të mediave vendase. Kandidati republikan u përpoq në fillim t’i shmangej pyetjes së moderatorit Anderson Cooper mbi shembullin që duhet të japin të dy ata te të rinjtë, e cila nënkuptonte në fakt episodin që shtyu një sërë republikanësh të tërhiqnin mbështetjen e tyre për manjatin njujorkez.

Miliarderi u përpoq t’i shmangej përgjigjes së drejtpërdrejtë, duke ndryshuar disa herë temë. Por kur Hillary iu drejtua publikut me fjalët “Ja kush është Donald Trump”, atëherë me Bill Clintonin dhe Chelsean në sallë, 70-vjeçari u hodh në sulm duke kryqëzuar ish-presidentin dhe tradhtitë e tij bashkëshortore.

“E dini, me kandidatët e mëparshëm republikanë për president nuk kam qenë dakord me politikën dhe parimet, por kurrë nuk e kam vënë në pikëpyetje aftësinë e tyre për t’i shërbyer vendit. Donald Trumpi është ndryshe. E dëgjuam se çfarë mendimi ka ai për gratë. Pretendon se ajo video nuk e përfaqëson, por besoj se është e qartë për të gjithë se kush është ai në të vërtetë”, u shpreh Hillary Clinton.

“Shikoni një herë Bill Clintonin se është shumë më keq. Ato të mijat ishin vetëm fjalë, ai kalonte në veprim. Në historinë e politikës nuk ka pasur kurrë një njeri kaq abuziv me gratë”, u kundërpërgjigj Trump.

Pas kësaj tha se po të zgjidhej president do të kërkonte një hetim të posaçëm mbi Hillaryn për çështjen e “e-mail”-eve private dhe kërcënoi se do ta çonte rivalen e tij në burg.

“Gjithë çfare the për ‘e-mail’-et është gënjeshtër, por unë çuditem. Sa mirë që ligjin në këtë vend nuk e ka në dorë dikush me temperamentin e Donald Trumpit”, tha Hillary.

“Po, sepse në të kundërt do të ishe prapa hekurave”, iu kundërpërgjigj menjëherë Trump.

Kandidatja demokrate nuk ra prè e goditjes nën rrip të kundërshtarit dhe zgjodhi të ndiqte filozofinë e Michelle Obamës për të mos iu përgjigjur komenteve të uleta. Në fund të debatit, dy kandidatët u pyetën se çfarë shihnin si pozitive te njëri-tjetri, pavarësisht retorikave të deritanishme.

Clinton u përgjigj se respektonte fëmijët e Trumpit, ndërsa ai u shpreh se Hillary është një luftëtare që nuk dorëzohet lehtë.

Top Channel