Nju Jork, treni del nga shinat. Shmanget tragjedia

09/10/2016 00:00

Një tren pasagjerësh doli nga shinat pranë qytetit të Nju Jorkut, duke plagosur dhjetëra njerëz. Incidenti ndodhi në parkun “New Hyde” në kontenë Nassau.

Autoritetet amerikane raportuan se, asnjë prej të plagosurve nuk është në rrezik për jetën, megjithëse shumë prej tyre janë shtruar në spitale kryesisht me kocka të thyera.

Treni me 12 vagonë kishte rreth 600 pasagjerë në bordin e tij, kur doli nga shinat. Zyrtarisht ende nuk ka një raport për shkaqet e incidentit, por mediat amerikane shkruajnë se treni i pasagjerëve dyshohet të ketë goditur një tren mallrash.

Pasagjerët e trenit treguan se, fillimisht kishin parë shkëndija të shumta dhe ndienë lëkundje, të shkaktuara mbase nga frenimi i beftë, dhe më pas ndienë një përplasje të fortë.

Autoritetet e Nju Jorkut thanë se, fatmirësisht, incidenti nuk shkaktoi viktima dhe katastrofa u shmang. Kjo pjesë e hekurudhës, një prej më të përdorurave në Nju Jork, u mbyll pas përplasjes, ndërsa hetimet vazhdojnë.

Muajin e shkuar, një grua humbi jetën dhe 108 njerëz të tjerë u plagosën, pasi një tren pasagjerësh u përplas në stacion në Nju Xhersi.

Top Channel