Kolumbi, përpjekje për të shpëtuar paktin me FARC

04/10/2016 00:00

Presidenti kolumbian, Juan Manuel Santos është vënë në lëvizje për të shpëtuar procesin e paqes dhe marrëveshjen e arritur me FARC-un përmes nisjes së bisedimeve edhe me opozitën kolumbiane.

Santos ka ngritur me shpejtësi një grup të ri negociator, në përbërjë të të cilit janë zyrtarët më të lartë të qeverisë, që përveç bisedimeve me FARC, janë mandatuar edhe për të biseduar me opozitën, që kundërshtoi pakti e arritur më herët, por që u rrëzua në referendumin popullor për ratifikimin e tij.

50.24 përqind e votuesve u shpreh kundër marrëveshjes së firmosur nga Presidenti Santos dhe udhëheqësi i FARC-ut, Timoleon Jimenez, pas gati 4 vitesh negociata.

Presidenti Santos tha se e pranonte rezultatin, por u zotua të vazhdojë përpjekjet për vendosjen e paqes. Ai sqaroi se armëpushimi aktual vazhdon të jetë i vlefshëm dhe urdhëroi negociatorët të udhëtojnë në Kuba, për t’u konsultuar me përfaqësuesit e FARC-ut për hapat e ardhshëm.

“Nuk do të heq dorë. Do të vazhdoj të përpiqem për paqen deri në momentin e fundit të mandatit tim, pasi kjo është mënyra për t’u lënë fëmijëve tanë një vend më të mirë”, tha ai.

Në të njëjtën linjë qëndrimi ishte edhe udhëheqësi i FARC-ut, i njohur si Timoshenko, i cili tha se grupi mbetej i përkushtuar për t’i dhënë fund luftës. Gjithsesi kritikat për ata që bënë fushatë për “Jo”-në nuk i kurseu.

“FARC ndien keqardhje të thellë për faktin se fuqia shkatërruese e atyre që predikojnë për dhunën dhe hakmarrjen influencuoi në opinionin e popullit kolumbian”, tha Timoshenko.

Më herët, rebelët ranë dakord të ulnin armët e t’i bashkoheshin procesit politik pas një konflitki 52-vjeçar. Por kritikët dhe opozita mendojnë se marrëveshja e trajtonte shumë butë FARC-un, që konsiderohet si një grup terrorist nga SHBA-të.

Ujdia do të lejonte rebelët të shmangnin dënimin me burg, nëse do të pranonin krimet e tyre. Rebelëve u ishin premtuar gjithashtu 10 vende në Kongres për dy zgjedhjet e ardhshme. Rezultati i papritur i votimit nënkupton se procesi i paqes është zhytur tashmë në ujëra të pasigurta.

Konflikti i gjatë me grupin rebel i ka kushtuar jetën 260 mijë personave dhe presidenti Santos ka thënë në të kaluarën se nuk kishte një “plan B” për t’i dhënë fund luftës.

Top Channel