Video/ Burri në Florida me duar të zhveshura kap aligatorin 2m për ta larguar nga rruga (fotot)

27/04/2024 18:53

Zbathur, pa doreza apo pajisje të veçanta, kapësi i licencuar i aligatorëve në Florida, Mike Dragich, shihej dje në një video impresionuese ‘në aksion’, duke marrë në krahë një aligator që kishte bllokuar rrugë makinash në qytezën Jacksonville.

Dragich është kapës i licencuar aligatorësh, sportist artesh marziale, veteran  i ushtrisë, dhe aktivist bamirësie në Florida, shkruante rrjeti vendas News4Jax.

Ai ishte në Jacksonville me familjen kur dëgjoi për problemin që ishte shkaktuar nga aligatori dhe ishte afruar me makinë në sheshin ku gjendej bisha e madhe.

Duke shokuar e zbavitur të pranishmit burri kapi aligatorin në stil “të vërtetë prej Florida”, shkruanin mediat vendase, me këmbë zbathur e me duar të zhveshura.

Më pas ai tha për mediat: “Isha me familjen në një ndeshje sporti në Jacksonville kur dëgjova thirrjen e sherifit për një situatë aligatori. Erdha këtu kapa aligatorin dhe u ktheva të ndeshja”.

Prilli është sezoni i çiftimit për zvarranikët dhe kjo shpjegon se përse ata kanë nisur të shihen në vendet më të çuditshme, shkruajnë mediat vendase.

 

FOTO GALERI
1/3
Zbathur, pa doreza apo pajisje të veçanta, kapësi i licencuar i aligatorëve në Florida, Mike Dragich, shihej dje në një video impresionuese ‘në aksion’

Top Channel