FMN jep shifrat për Shqipërinë, ja sa pritet të rritet ekonomia dhe në çfarë niveli parashikohet të jetë inflacioni Omnix Albania, kompania që do të investonte 450 milionë euro në Lalëz, deklaroi tërheqjen e menjëhershme nga të gjitha investimet në Shqipëri.
Vendimi vjen dhjetë ditë pasi presidenti i kësaj kompanie, Fadi Mitri u dhunua fizikisht nga persona, të cilët i kërkuan të largohej nga Shqipëria.
“Ky akt i rëndë kriminal ja ka dalë që të rrënojë përpjekjet e Omnix Albania për ndërtimin e një kompleksi turistik prej 450 milion USD në Lalëz”, thuhet në deklaratën e kompanisë.
Projekti turistik i miratuar vetëm dy muaj më parë në Këshillin Kombëtar të Territorit parashikonte ndërtimin e një resorti gjigant, që do të punësonte rreth 1200 veta deri në vitin 2018. Sipas Omnix, projekti e shndërronte Shqipërinë në një nga destinacionet kryesore turistike në Ballkan dhe do të kontribuonte në rritjen ekonomike të vendit.
Por dhjetë ditë më parë, disa persona dhunuan fizikisht presidentin e Omnix Fadi Mitri. Policia ka arrestuar një prej autorëve dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë, ndërkohë që motivi i sulmit dyshohet se ka lidhje pikërisht me investimin e kompanisë në Lalëz.
“Omnix Albania dënon ashpër këtë ngjarje të rëndë kriminale, e cila sjellë indinjatë për çdo shqiptar. Duke filluar nga sot Omnix tërhiqet nga çdo investim në Republikën e Shqipërisë”, sqaron deklarata.
Në deklaratën e nënshkruar nga presidenti i grupit Omnix, Jamal Abu Isa, kompania ka falenderuar qeverinë e Shqipërisë për kujdesin që ka treguar ndaj familjes së zotit Mitri në këto momente të vështira për të.
Top Channel